Pak kohë më parë, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj informoi qytetarët e vendit për një lajm.

“Vlefshmëria e kartave të identitetit shtyhet deri në fund të këtij viti, pra të 2019-s”, do të shprehej Sandër Lleshaj.

Por, premtimi nuk duket se është bërë ende realitet. Sot, nëse shkon të aplikosh për pasaportë të re, punonjëset e kompanisë “Aleat” që prodhon dokumentet e identifikimit, të detyrojnë të aplikosh edhe për kartën e identitetit, pavarësisht asaj që deklaroi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Punonjësit pohojnë se nuk kanë një dokument të shkruar që ta legjitimojë zgjatjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit. Top Channel u interesua pranë zyrave të “Aleat”-it për Njësitë Administrative 3 dhe 4 në kryeqytet, pikërisht aty ky ministri i Brendshëm dha lajmin e rëndësishëm.

“Nuk dimë gjë për atë punë”, përgjigjet një nga punonjëset.

Qytetarët ndërkohë nuk janë të qartësuar ende. Ka nga ata që po aplikojnë për karta të reja identiteti.

Gati një milion e gjysmë dokumente identifikimi, kryesisht karta identiteti, skadonin gjatë këtij viti. Duke qenë se në fund të qershorit mbahen zgjedhjet vendore, Ministria e Brendshme zgjati vlefshmërinë e kartave, por deri tani vetëm me fjalë.

Top Channel