Kreu i Ballit Kombëtar pjesë e Grupit Parlamentar të PS? Alimadhi përgjigjet në “Top Talk”

04/04/2019 16:35

I ftuari në studion e Top Talk këtë të enjte ishte Adriatik Alimadhi, kryetari i Ballit Kombëtar, i cili pranoi të bëhej deputet pas largimit nga Kuvendi të kolegëve të tij nga Parti Demokratike.

Një prej pikëpyetjeve të mëdha për përfaqësuesit e rinj në Kuvend është se në cilin grup parlamentar do të marrin pjesë.

Në studion e Top Talk, Alimadhi pranoi interesimin për krijimin e grupeve parlamentare, por kjo nuk ishte në fokusin e tij.

“Ka pasur interesim, në lidhje me krijimin e grupeve parlamentare. Nuk më intereson asgjë aktualisht. Ajo që më intereson aktualisht është vendosja në shtratin e plotë të Ballit Kombëtar, të tjerat do i ndjek me shumë kujdes”, tha ai.

Më tej ai mohoi kategorikisht zërat që e shohin atë si pjesë të grupit parlamentar të PS.

“Nuk është e vërtetë nuk më lidh asgjë me PS. Jam viktimë e persekutimit, jam internuar në 1967. Si të majtë e djathtë, e kanë parë me shumë skepticizëm Ballin Kombëtar. Akoma vijon të jetë një subjekt tradhtar. Edhe pas 30 vitesh nuk ka dalë se kush është BK, një parti që i janë vrarë ajka e atdhetarëve shqiptarë”, tha Alimadhi.

Top Channel