Venezuelë, presidentit të vetëshpallur i hiqet imuniteti, mund të ndiqet penalisht

03/04/2019 08:47

Ligjvënësit venezuelas, besnikë të presidentit Nicolas Maduro kanë votuar pro heqjes së imunitetit të udhëheqësit të opozitës, Juan Guaido, gjatë së martës, e gjithashtu autorizuan Gjykatën e Lartë të ndjekë penalisht atë për vetëshpalljen si sundimtar të vendit të goditur ndjeshëm nga kriza.

Guaido, i vetëshpallur president dhe i njohur nga mbi 50 vende, kishte shprehur më herët frikën se mund të rrëmbehet nga agjentët e qeverisë, pas kërkesës së Gjykatës Supreme të dorëzuar në Asamblenë Kushtetuese për t’i hequr atij imunitetin parlamentar.

Kritikët e trupës kontroverse, të ngritur prej vetëm dy vitesh, thonë se është krijuar vetëm për të “vulosur” vendimet e Maduros e për të anashkaluar Asamblenë Kombëtare të kontrolluar nga opozita.

President i Asamblesë Kushtetuese, Diosdado Cabello njoftoi se ligjvënësit pro Maduros kishin autorizuar në mënyrë unanime Gjykatën Supreme të ndiqte penalisht Guaidon, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj akuzave për shkelje të urdhërndalimit qeveritar të 29 janarit, për të mos u larguar nga vendi.

Gjykata ka hetuar Guaidon për “uzurpim” të pushtetit të Maduros duke u vetëshpallur president i përkohshëm i vendit më 23 janar, një lëvizje që siguroi shumë shpejt mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Njerëzit janë të vendosur dhe asgjë nuk do të na ndalë”, tha Guaido, duke sfiduar kështu zhvillimet e fundit në vendin e tij. “Nuk ka kthim pas në këtë proces që sapo ka nisur”. Guaido nuk njeh as gjykatën dhe as të ashtuquajturën Asamble Kushtetuese, ndaj këmbëngul se vendimi është nul.

Urdhri i lëshuar nga gjykata, të hënën, citonte shkeljen e ndalimit të udhëtimit nga ana e Guaidos jashtë Venezuelës, kur ai vizitoi Argjentinën, Brazilin, Kolumbinë, Ekuadorin dhe Paraguajin në periudhën nga fundi i muajit shkurt deri në fillim të marsit.

Top Channel