Ndryshe nga herët e tjera, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur që këtë javë ta tërheqë me 24 orë seancën plenare të radhës, duke mos e zhvilluar atë si zakonisht, të enjteve, por këtë të mërkurë duke nisur nga ora 10:00.

E ashtu siç ka paralajmëruar kreu i opozitës, Lulzim Basha, edhe Partia Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim e aleatët e tjerë do të kundërpërgjigjen siç kanë bërë kohët e fundit, me një protestë të radhës paralele, duke mbledhur fillimisht qytetarët para Kuvendit 30 minuta më herët nga nisja e seancës.

Qeveria tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme pa Edi Ramën mbeten kërkesat kryesore të opozitës edhe në këtë protestë jokombëtare, që vjen pas asaj të 28 marsit që u shoqërua me tensione.

Forca të shumta policie pritet të jenë në dispozicion, duke siguruar e garantuar mbarëvajtjen e protestës, por jo vetëm. Kuvendi pritet të “blindohet”, sikurse edhe institucione të tjera përreth saj, e masa janë marrë edhe për Kryeministrinë.

Top Channel