Qëndrimet e dy javëve të fundit, se nuk ka pushtet në tavolinë, Edi Rama ia përsëriti opozitës edhe nga salla e Kuvendit.

“Ata që ikën dhe që braktisën detyrën nuk kanë për t’u kthyer këtu përmes një rruge ekstraligjore dhe përmes asnjë lloj dialogu që çon në një pazar të kësaj natyre. Kjo nuk ka për të ndodhur”, tha kryeministri Rama.

Rama kishte edhe një mesazh për deputetët e opozitës së re.

“Do t’iu mundim prapë, mblidheni mendjen mirë. Do t’iu mundim më thellë, kështu që bëni mirë që të ndaheni një orë e më parë nga ata, jo thjesht kush është brenda e kush jashtë, por t’i jepni Shqipërisë një mundësi tjetër që të ketë një zgjidhje tjetër. Se ato dy siglat ne do t’i çojmë për skrap”, u shpreh Rama.

Për Edi Ramën, kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme le të mbetet një ëndërr në sirtar.

“Zgjedhje të parakohshme, se tani na ka mbetur fallxhorja pa rrogë, nuk ka”, tha Rama.

Edi Rama shpjegoi edhe hapin e radhës me Reformën Zgjedhore.

“Ne do t’i presim për aq kohë sa pret puna. E nëse nga ana e Komisionit Europian, nga ana e Bashkimit Europian do të kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar këtu përpara se të merret vendimi për çeljen e negociatave, sepse është i shkruar në tekst, ne do ta kalojmë këtu”, deklaroi Rama.

Pasi lëshoi sulmin e radhës për ndërkombëtarët, shefja e LSI-së, Monika Kryemadhi iu rikthye akuzave për zgjedhjet e 2017-s.

“Reforma zgjedhore është një proces që, nëse nuk garantohet shitblerja e votës dhe ndalimi përfundimisht i përdorimit të bandave kriminale, që deformojnë procesin zgjedhor, ju mund të bëni Reformë Zgjedhore dhe ne mund të bëjmë reforma zgjedhore të shkruara dhe të gdhendura në shkëmbinj, por gjithçka është e kotë”, tha Kryemadhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA