Në protestën e 8 të mbajtur paralelisht me kohën kur në Parlament po betoheshin deputetët e rinj, nuk ishin ish-deputetët zëri i protestës së opozitës së bashkuar, por të rinjtë.

Studentët mbajtën fjalime para protestuesve, në krye të të cilëve, në mënyrë simbolike disa të rinj ishin prangosur e ndonjëri prej tyre kishte vendosur një maskë ndryshe… (Shënim redaksional: Foto e kryeministrit Rama).

Me kërkesën “iK” të shkruar në pankartë, piramida simbolike e krimit u vendos para Parlamentit, teksa nuk munguan as tymueset dhe as kapsollat.

Pati dy tentativa nga protestuesit për të çarë kordonin policor.

Një qytetar u godit nga të tjerët, pas dyshimeve se ai ishte agjent krimesh, por në fund u kuptua se ai ishte protestues, njëjtë si turma.

Me piramidën në krahë, protesta u zhvendos përbri Kryeministrisë, atje ku ngjitur me piramidën historike iu vendos flaka “piramidës së krimit”.

Edhe pranë Kryeministrisë pati incident me një qytetar.

Kjo protestë u mbyll kësaj radhe nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka.

“Ne mund të jemi një ditë më pak e një ditë më shumë Por, ajo që nuk ndalet është urrejtja e madhe e shqiptarëve kundër kryeministrit. Rama ik, Rama shporru, shqiptarët nuk të duan më. Shumë shpejt do ta shihni sesi do të marrë vrapin dhe nuk do të dijë ku të ndalet nga udhëheqja qytetare”, tha Paloka.

Top Channel