“Kanadaja po ngrohet me një ritëm dy herë më të shpejtë sesa pjesa tjetër e globit”, thuhet në studimin e fundit mbi ndryshimet mjedisore e ato klimatike.

Raporti qeveritar mbi klimën del në përfundimin se, ndryshimet tashmë janë të dukshme dhe se ato, për më tepër pritet të intensifikohen.

Ndikimi më i madh vërehet në Arktikun e Kanadasë. Ngrohja në këtë pjesë duket se do të vazhdojë me dyfishin e nivelit global të ngrohjes.

Parashikimet e zymta nuk mbarojnë me kaq. Sipas tyre, shumë nga efektet e vërejtura tashmë mund të jenë të pakthyeshme.

Temperatura mesatare vjetore e Kanadasë llogaritet të jetë rritur me rreth 1.7 gradë Celsius që nga viti 1948, kur nisën për herë të parë regjistrimet në mbarë vendin.

Ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që përgjegjës për më shumë se gjysmën e kësaj ngrohjeje të jetë aktiviteti njerëzor.

Raporti u publikua pasi qeveria vendosi taksat e karbonit në 4 nga 10 provincat kanadaneze, për shkak se nuk prezantuan planet e tyre për menaxhimin e ndryshimeve klimatike.

Top Channel