Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka nisur vizitën e tij në SHBA për të marrë pjesë në Ministerialin e NATO-s, si dhe për të zhvilluar një serë takimesh dypalëshe me përfaqësues të lartë amerikanë.

Cakaj, u takua me senatorin Ron Johnson, Kryetar i Nënkomitetit të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale si dhe kongresmenin Lee Zeldin.

Gjatë këtyre takimeve, zyrtarët e lartë amerikanë diskutuan me Ministrin në Detyrë Cakaj rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, përpjekjeve të saj në kuadër të reformave për hapjen e negociatave si dhe rolin e rëndësishëm që ajo luan në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të këtyre takimeve ishin gjithashtu përgatitjet e Shqipërisë për marrjen e kryesisë së radhës së OSBE-së në vitin 2020, lobimin e saj për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurisë së OKB-së dhe angazhimet e saj në kuadër të Aleancës Atlantike të Veriut.

Senatori Ron Johnson dhe Kongresmeni Lee Zeldin, vlerësuan dhe mbështetën masat e marra nga Shqipëria përsa i përket reformave që do t’i hapnin rrugën fillimit të negociatave në qershor 2019.

Zyrtarët amerikanë shprehën gatishmërinë e tyre maksimale për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian dhe për të rritur kontaktet dypalëshe në dobi të avancimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA