Pamje nga takimi Partizani-Luftetari, çerekfinalja e pare.

Ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë luhen këtë të mërkurë, nga ku do të mësohen skuadrat që do të vijojnë betejën për fitoren e trofeut të dytë më të rëndësishëm në vend.

Skënderbeu është skuadra e parë që e ka siguruar kalimin për në gjysmëfinalet e Kupës, madje pa i zhvilluar fare ndeshjet, për shkak të përjashtimit të Kamzës nga të gjitha aktivitetet.

Sfida që ka një vëmendje të madhe në këtë fazë është ajo mes Kukësit dhe Teutës, që do të luhet në orën 17:00 në “Elbasan Arena”. Sfida e parë e zhvilluar në Durrës ka përfunduar në barazim 2-2, një rezultat që favorizon skuadrën e Ramazan Ndreut, duke qenë se ka shënuar dy gola në fushë kundërshtare.

Si për Kukësin, ashtu dhe për Teutën, fitorja e këtij turneu merr një vlerë shumë të madhe, pasi është mundësia më e mirë për të mbyllur sezonin me një trofe, duke qenë se në kampionat janë larg Partizanit kryesues.

Nga ana e tij, Partizani udhëton drejt Gjirokastrës për të luajtur ndaj Luftëtarit, me synimin për të përmbysur humbjen e sfidës së parë 1-2, e për të mbajtur gjallë shpresën për një fitore të mundshme të të dy trofeve sezonalë.

Ndeshja tjetër çerekfinale e Kupës së Shqipërisë është ajo mes Laçit dhe Tiranës, një sfidë kjo që vjen pas momenteve të tensionit të shfaqura në fundjavë në kampionat. Skuadra bardheblu vjen në këtë ndeshje me avantazhin 3-0, një rezultat për të cilin Laçit të Starovës i duhet një mrekulli ta përmbysë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA