Top Talk/ Salianji: Dosja e “Babales’ u manipulua. Shteti po sillet si mafia

02/04/2019 16:16

Pyetjes në lidhje me përgjimet e SHISH-it nëse janë indice apo provë, Salianji tha se janë indice. Ndërkohë, ish-deputeti demokrat preton se hetimet e SHISH-it nuk kanë shkuar kurrë në Prokurori.

“Ajo është një indicie, por përgjimet e SHISH-it nuk dihet se ku kanë shkuar më. Nuk kanë shkuar në prokurori dhe për të shmangur Agron Xhafjan, kanë shpikur një Agron tjetër, por që e hedh poshtë ekspertiza britanike.

Në fashikullin e Prokurorisë që kam marrë, ekzistojnë edhe dëshmi të marra, apo prova të marra nga SHISH-i që e faktojnë këtë. Oficerë të SHISH-it thonë që kanë bërë survejime dhe pastaj na del në bisedë Agron Xhafaj, por që nga frika rezulton një Agron tjetër”, tha ai.

Gazetari Dyrnjaja e pyet nëse bëhet fjalë për hipoteza dhe Salianji e mohon këtë fakt, duke thënë se këtë gjë e vërtetojnë provat që gjenden në dosjen e tij.

Po të them që nuk është hipotezë sepse nga momenti që gazetari bëri investigimin doli që Agroni ishte Agron Xhafaj. Këtë e vërtetojnë edhe provat. Tabulatet telefonike mes Baables dhe Agron Xhafajt tregojnë që kanë lidhje të afërt me njëri-tjetrin. Ekspertiza e britanikëve del që zërat janë të ngjashëm me Agron Xhafajn, duke përjashtuar Agronin tjetër. Prokuroria dhe institucionet e shtetit sillen si mafia.

Ka një mashtrim që edhe këta vetë nuk kanë arritur që t’i lidhin faktet me njëra-tjetrën. I kemi publikuar faktet me 14 maj, këta kanë marrë një njeri që kanë kontakt me Alizotin, që është një ish-i dënuar, ish-trafikant edhe ky, dhe u kanë thënë që të luajë rolin. Tani nëpërmjet përgjimeve zyrtare të Prokurorisë kam arritur të zbuloj edhe nga kush është paguar”, shprehet Salianji.

Top Channel