Nga konferenca e Mininistrisë së Brendshme me temë “Menaxhimi i çështjes”, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones ritheksoi se, kush mendon që do të ketë hapa pas në Reformën në Drejtësi, gabohet!

“Reforma në Drejtësi po ecën përpara dhe nuk do të ndalet. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të sjellë së shpejti prokurorët e SPAK-ut (Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion) dhe më pas Byronë Kombëtare të Hetimit. Ndihma jonë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, së shpejti do të çojë në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO)”, tha Moses-Ones.

Numri dy i diplomacisë amerikane në Shqipëri dha edhe detaje, se ku po përqëndrohet ndihma amerikane.

“Zyrtarët e Departamentit amerikan të Drejtësisë po këshillojnë prokurorët shqiptarë, të cilët tashmë po sjellin ndjekje penale të dukshme – dhe ne presim më shumë. – Shtetet e Bashkuara mbështesin të gjitha institucionet e reja të Shqipërisë, të tillë si Këshillat dhe si SPAK-u, si dhe institucionet ekzistuese që janë të gatshme të luftojnë kundër korrupsionit ose krimit të organizuar”, deklaroi e ngarkuara me punë e SHBA-ve.

Leyla Moses-Ones foli edhe për çfarë duhet të bëjë më tej policia shqiptare.

“Objektivat janë të qarta: Efikasitet, llogaridhënie, performancë e drejtuar nga të dhënat. Sistemi e ka bërë policinë shqiptare më efikase në përgjigjen ndaj thirrjeve të qytetarëve për ndihmë. Sistemi ka përmirësuar llogaridhënien, duke mundësuar mbikëqyrjen e punës së policisë nga eprorët. Ai siguron të dhëna të detajuara dhe objektive mbi prirjet e krimit, ngarkesën e punës së policisë, performancën e policëve dhe shpërndarjen e burimeve”, deklaroi zv.ambasadorja amerikane në Tiranë, Moses-Ones.

Top Channel