Nga Shkodra, Lulzim Basha akuzoi kundërshtarin politik se po pëpiqet të asgjësojë opozitën e vendit.

“Shëmbëlltyra e këtij regjimi mendon se mund ta likuidojë opozitën. Kjo nuk ka për të ndodhur. Nuk ka vegla të verbra, as gaz lotsjellës, as afije, as aparat shtypës, që mund të rikthejë qetësinë e kufomës politike të ‘Rilindjes’, trashëgimtares së denjë të krimit të 2 prillit të vitit 1991”, tha Basha.

Përkujtimi i 2 prillit, ku mbetën të vrarë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka e Nazmi Kryeziu, i shërbeu kryedemokratit për të hequr një paralele me situatën në të cilën ndodhet vendi sot.

  Basha: Demokracia nuk ka qenë asnjëherë më e rrezikuar se sot

“Sot, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë ia merr ajrin një shartesë, një mostër sa politike aq dhe kriminale. Kjo mostër është qeverisja me krimin që mbijeton edhe për shkak se nuk i nxorëm siç duhet përgjegjësitë e 2 prillit 1991. 2 prilli, si bashkëjetesë e krimit me qeverinë, ka sot fytyrën e krerëve të qeverisë dhe të Parlamentit, ka sot Kuvendin e turpit, Kuvendin e denjë trashëgimtar të krimit të 2 prillit”, tha më tej Basha.

Nga memoriali i 2 prillit, Basha u kërkoi shkodraneve të nxjerrin mësim nga e shkuara.

“Shkodra dhe Shqipëria është në këmbë, prandaj kjo është garancia se do ta fitojmë këtë betejë, do ta fitojmë pa pyetur për çmimin e sakrificës, si më 2 prill 1991, edhe më 2 prill 2019. E çdo ditë kjo është e njëjta betejë për demokraci dhe fundi i saj do të jetë fitorja e kësaj beteje. Shkodra e ka shkishëruar shitblerjen e votës. Shkodra do ta bëjë hasha këdo që shet dhe blen votën”, deklaroi Basha.

Top Channel