MotoGP, Marc Marquez dominon, spektakël Rossi-Dovizioso

01/04/2019 11:27

Marc Marquez i përgjigjet fitores së Andrea Doviziosos në Katar, teksa triumfoi në Çmimin e Madh të Argjentinës, në Botërorin e MotoGP.

Piloti spanjoll i Hondës ishte dominues në pistën “Termas de Rio Hondo”, ku së fundmi ka pasur jo pak probleme.

Kampioni i botës në fuqi zhvilloi një garë më vete, pasi e dominoi atë nga fillimi deri në fundin e saj, duke siguruar suksesin e tretë të tij në tokën argjentinase.

Ndërsa Marquez garonte i qetë në krye, pas tij spektakli nuk mungoi dhe protagonistë u bënë dy italianët Valentino Rossi dhe Andrea Dovizioso.

Piloti i Yamahës doli i fituar nga dueli me bashkëkombasin e tij, të cilin e parakaloi në xhiron e fundit, duke u pozicionuar në vendin e dytë pas Marquez, me të cilin shtrëngoi edhe duart pas garës.

Dovizioso me Ducatin e tij u detyrua të kënaqej me vendin e tretë këtë radhë, një pozicion që gjithsesi ka shumë vlera për të në objektivin e tij për titullin botëror. Pas Doviziosos, në vendin e katërt u rendit Jack Miller, i ndjekur nga piloti i Suzukit, Rins, në të pestin, me këtë të fundit që e nisi garën nga vendi i 16.

Fitorja në garën e Argjentinës i jep mundësinë Marc Marquez të marrë kryesimin në renditjen e përgjithshme për pilotë, me 45 pikë, 4 më shumë sesa Dovizioso në vendin e dytë, ndërkohë që i treti është Valentino Rossi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA