E hëna shënoi nisjen e fushatës për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Një ditë më parë, 3 kandidatët për president, shqiptari Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski nënshkruan “Kodeksin” për zgjedhje korrekte dhe demokratike, e u zotuan të zhvillojnë fushatë demokratike dhe të drejtë.

Reka tregoi se shpreson në një garë ligjore dhe të rregullt.

“Nuk ka shumë rëndësi kush fiton, – tha ai. – E rëndësishme është që në fund do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut që do të fitojë, sepse fiton datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”.

Pendarovski, kandidati i LSDM-së, i cili është menduar edhe si zgjedhja më e moderuar mes palëve dhe si pretendent në këtë garë, garantoi në emër të tij dhe të kandidatëve të tjerë se, atë që nënshkruan do ta zbatojnë praktikisht edhe në terren.

Në zgjedhjet që do të mbahen më 21 prill kanë të drejtë vote rreth 1.8 milionë qytetarë. Gara nuk pritet të jetë e lehtë.

Kandidatët, siç thotë “Zëri i Amerikës”, janë të njohur për rrethin akademik si profesorë universitarë. Pendarovski është aktualisht këshilltar kombëtar për NATO-n dhe mbështetet nga partitë e koalicionit qeveritar, përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim.

Siljanovska e VMRO-DPMNE-së ka qenë ministër, ndërsa Reka garon zyrtarisht si kandidat i pavarur, por me mbështetjen e partive opozitare shqiptare, Aleanca dhe Besa.

Top Channel