Hapet biblioteka “online”, pjesë e Paktit për Universitetin

01/04/2019 20:01

Qeveria plotëson një tjetër kërkesë të studentëve, bibliotekën digjitale.

“Janë 30 gjuhë të huaja që ofrohen në platformën Rosetta Stone, që është pjesë e kësaj biblioteke digjitale dhe me një metodologji të konsoliduar dhe jashtëzakonisht efikase”, tha Rama.

Kryeministri nuk i kurseu kritikat për rektorin Mynyr Koni: “Është e pakuptueshme dhe e patolerueshme që biblioteka digjitale sot të mund të vihet në funksion nga një pjesë e konsiderueshme e rrjetit të universiteteve dhe të mos vihet dot në dispozicion nga Universiteti i Tiranës ende, sepse Universiteti i Tiranës është i papërgatitur nga pikëpamja teknologjike. Ashtu sikundër është skandaloze që për lëvrimin e bursave për studentët, Universiteti i Tiranës të jetë një vatër ende problematike”.

Rektorati i UT, theksoi kryeministri Rama, është vendi për të adresuar problemet dhe për të gjetur zgjidhje dhe jo vendi ku problemet krijohen dhe zgjidhjet pengohen: “Në kushtet kur rektorati, një rektorat, siç është i Universitetit të Tiranës, bën sikur s’kupton dhe bën sikur s’dëgjon. Përveçse bën sikur s’kupton dhe bën sikur s’dëgjon, flet përçart, duke krijuar më shumë konfuzion dhe më shumë hapësirë për çoroditje, sesa duke adresuar problemin”.

Kryeministri foli edhe për rishikimin e titujve shkencor me plagjiaturë: “Kush kujton se kjo do të harrohet e ka gabim. Kush kujton se do të kërcënojë qeverinë me inskenime protestash, apo me krijime situatash që turbullojnë gjendjen e brendshëm të universitetit, medemek për këtë e për atë, por, ndërkohë, në fakt, për t’iu shmangur kësaj, e ka gabim. Ne jemi këtu për të bërë reformat dhe për t’i çuar ato deri në fund. Nuk jemi këtu për të siguruar qetësinë tonë në karrige, as për të siguruar në karrige një jetëgjatësi që s’na intereson fare. Ne jemi këtu për të bërë detyrën”.

Top Channel