Qendra e Tiranës fiku mbrëmë dritat për 60 minuta, duke iu bashkuar qindra qyteteve në 187 shtete të botës në shenjë solidarizimi me “Orën e Tokës”, që synon rritjen e vëmendjes globale ndaj çështjeve mjedisore.

I pranishëm në eventin e organizuar me këtë rast në sheshin “Skënderbej”, së bashku me 500 vullnetarë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi ndërgjegjësimin e të rinjve për çështjet mjedisore. Ai tha se “Ora e tokës” është vetëm një arsye më shumë për të nisur diçka, që do zgjasë si një aksion për gjithë jetën dhe për të trashëguar një qytet shumë herë më të mirë.

“‘Ora e tokës’ është vetëm arsyeja, motivi për të nisur diçka që do zgjasë si aksion për gjithë jetën tonë. Unë besoj se në Tiranë po vjen një brez i ri. Takoj djem dhe vajza gjimnazistë, çuna dhe goca në 9-vjeçare, që janë sot shumë më të emancipuar, të cilët nuk e shohin “Orën e Tokës” si sebep, por e shohin si një arsye për të jetuar një stil tjetër jete. Për çdo djalë dhe vajzë që ka mbjellë një pemë sot, do të thotë që ka hedhur rrënjë në qytet, që është më ndryshe se qyteti që trashëguam dje”, tha ai.

Nga ora 20.30-21.30 dritat u fikën në sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, sheshin “Nënë Tereza”, hyrjen e Bulevardit të Ri. Ora e Tokës është edhe lëvizja më e madhe në botë për ndryshimet klimatike, ku pikënisja e saj ishte në vitin 2007 në Sidnej të Australisë.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel