Duke folur nga Durrësi, në ndalesën e radhës të ciklit kombëtar “Bashkia që Duam”, Rama foli jo vetëm për çështje që i përkasin Bashkisë së qytetit bregdetar dhe zhvillimit të qytetit atje, falë përkrahjes së qeverisë qendrore, por edhe për situatën politike në vend.

Duke iu referuar krizës “artificiale” sipas tij të shkaktuar nga opozita ma vizion për të ardhmen, ai tha se Basha e ka për zakon të bëjë zhurmë, të dalë nga Parlamenti, të djegë madje edhe mandatet për herë të parë në histori, vetëm e vetëm që të kapin diçka.

“Dhe në fakt e kapën diçka, e mbani mend 2017-n? Kapën gjysmën e qeverisë. Nuk morën Ministrinë e Kulturës, por morën Ministrinë e Brendshme, edhe me të kapur gjysmën e qeverisë menduan se do të rrëzonin edhe gjysmën tjetër. Po ku ka kështu? E patë që u rrëzuan vet më pas? Kanë kërkuar shumë gjëra, nga vota elektronike dhe numërimi elektronik, nga reformimi i Kodit Zgjedhor, por sa herë u kemi thënë hajdeni të ulemi t’i miratojnë ikin. Kanë ikur me pretekstin se duke u larguar do të fitojnë. Por bënë një gabim, këtë herë u larguan nga Parlamenti, sepse menduan se meqë fillimisht morën gjysmën e qeverisë, këtë herë do të merrnin pushtetin, madje në tavolinë. E ndjek edhe ajo fallxhorja nga pas. Por ne s’kemi çfarë të bëjmë më, duhet të vazhdojmë punën tonë përpara. S’e kemi për detyrë që të sjellim Lulin në pushtet”, tha Rama me ironi, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.

Top Channel