Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania “Tosk Energji” është themeluar në muajin qershor të vitit 2015, në një kohë që “ARMO” kishte filluar kolapsin. Shoqëria u themelua nga aksioneri i vetëm, z. Blerim Hoxha. Në qershor të vitit 2016, shoqëria u ble me 100% të aksioneve nga kompania “CFD Conseils Sarl”.

Por, kush qëndron pas “CFD”-së? Nga hulumtimi i dokumenteve rezulton se pronar i “CFD”-së është pikërisht Kristof Darbord. Kompania e z. Darbord është regjistruar në Zvicër, me një kapital prej vetëm 20 mijë frangash. Ndërkohë, “CFD” e bleu kompaninë shqiptare “Tosk Energji” për vetëm 3.5 milionë lekë.

I pyetur për këtë fakt, kreu i Sindikatës së Punëtorëve, z. Kamberi thotë se “aty një administrator Blerim Hoxha. ‘Bylis Energji’ thotë ajo, po hajde gjej këmbë dhe kokë këtyre”.

Megjithatë, ai shton se “ka shumë të errëta në këtë mes. Paraqitet Tosku, del Bylisi. Paraqitet Bylisi, del Tosku. Se kur paraqitet me Bylis ai, ne lidhim kontratë me Bylis, në anë tjetër del Tosku. Tosku thotë s’kam përgjegjësi për këto se i ka lidhur ai, kupton çfarë krijohet? Se këto janë si kompani guackë”.

Sipas dokumenteve, kompania “CFD” dhe “Tosk Energji” kanë kapitale modeste, po kjo nuk i ka penguar që të fillojnë menjëherë të administronin rafinerinë “ARMO”, e cila xhiron qindra miliona euro në vit.

Pra, drejtuesi aktual i ARMO-s është pikërisht ish-administratori i rafinerisë, Kristof Darbord, i cili gjatë kohës që drejtoi rafinerinë, nga viti 2013 deri në fund të vitit 2015, i shkaktoi arkave të shtetit një dëm prej 200 milionë eurosh!

Në ligjin “9920”, të datës 19 maj 2008, “për procedurat tatimore”, në nenin 89, pika 4, gërma a), citohet se:

Nëse administrata tatimore zotëron prova konkrete dhe të besueshme, se tatimi është në rrezik dhe tatimpaguesi, për të shmangur mbledhjen me forcë të detyrimit tatimor, mund të fshehë ose të transferojë aktivet, administrata tatimore, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, mund të kërkojë pranë organeve kompetente: ndalimin e lëvizjes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të administratorit, të personit juridik, ortakut dhe aksionarit të personit juridik apo individit tregtar, i cili ka detyrime të papaguara.

Por, në rastin konkret, z. Darbord jo vetëm nuk i është marrë pasaporta, ndaluar apo hetuar, por është lejuar që të rimarrë në dorë “frerët” e rafinerisë, e cila ka mbi 600 milionë euro detyrime.

Top Channel