“Brexit”, May mposhtet për të tretën herë. Rrezikohet shkëputja pa pakt më 12 prill

29/03/2019 16:10

Ligjvënësit britanikë e rrëzuan për të tretën herë marrëveshjen e “Brexit”-it, të negociuar nga kryeministrja Theresa May me krerët e Bashkimit Europian.

Edhe pse ajo mendonte se mbështetja pro paktit ishte shtuar, votimi solli humbjen e qeverisë. Kampi kundër kishte 58 vota më shumë. Kjo do të thotë se Mbretëria e Bashkuar e humbet afatin e vendosur nga Brukseli për ta shtyrë daljen nga blloku për më 22 maj, e për ta realizuar këtë largim me marrëveshje.

May ka kohë tani deri më 12 prill për të kërkuar një shtyrje më të gjatë të procesit të negociatave, me qëllimin të shmanget “Brexit”-i pa marrëveshje në atë datë.

“Rezultati i këtij votimi është vërtet për të ardhur keq. Druhem se me këtë Dhomë Komunësh po mbërrijmë në kufijtë e fundëm të këtij procesi”, tha May.

Lideri laburist, Jeremy Corbyn i kërkoi shefes së ekzekutivit të japë menjëherë dorëheqjen, duke krijuar kështu mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Zgjedhje të parakohshme kërkuan edhe ligjvënës të tjerë, që morën fjalën në Parlamentin britanik.

Deputetë laburistë e akuzuan Mayn se e rivuri në votë marrëveshjen e saj të dështuar, për t’u shërbyer karrierave të konservatorëve të partisë së vet.

Top Channel