Protesta e opozitës nisi me një incident me banorët e Astirit, të cilët u ndaluan të marshonin drejt Parlamentit përmes pedonales, duke sjellë dhe konfrontimin me policinë.

Në mes të protestuesve ishin ish-deputetë demokratë, të cilët, pas kritikave të kryetarit Lulzim Basha, ishin shpërndarë në çdo vatër proteste dhe në ballë të saj, edhe kur protestuesit tentonin të thyenin kordonin e policisë.

Kjo skenë përsëritej herë pas here, ndërsa situata u tensionua më shumë kur fjalën e morën drejtuesit e opozitës.

Me një lëvizje të papritur, teksa situata ishte tensionuar, Flamur Noka u kërkoi protestuesve të ndiqnin Bashën drejt Ministrisë së Brendshme.

Në drejtim të godinës së kësaj ministrie u hodh bojë e zezë, ndërsa protestuesit morën sinjal të terhiqeshin drejt selisë blu. Kamerat ndiqnin hap pas hapi zhvendosjen e protestës së opozitës nga njëra godinë në tjetrën, ku në marshim e sipër u lëndua dhe operatori i Top Chanel, i cili u rrëzua teksa filmonte.

Protesta e opozitës u mbyll në selinë blu nga kryetari demokrat. Basha garantoi protestuesit se nuk do të bëjë marrëveshje me Edi Ramën.

Himni i flamurit përmbylli protestën e opozitarëve.

Top Channel