Protesta e opozitës nisi me një incident me banorët e “Astirit”, të cilët u ndaluan të marshonin drejt Parlamentit përmes Pedonales, duke sjellë edhe konfrontimin me policinë.

Në mes të protestuesve ishin ish-deputetë demokratë, të cilët pas kritikave të kryetarit Basha ishin shpërndarë në çdo vatër proteste dhe në ballë të saj, edhe kur protestuesit tentonin të thyenin kordonin e policisë.

Kjo skenë përsëritej herë pas herë, ndërsa drejtuesit e opozitës kërkonin rrëzimin e Edi Ramës.

“Për t’i dhënë fund regjimit mafioz të Edi Ramës dhe për ta përcjellë Maduron e Ballkanit para drejtësisë, ose në azil politik”, u shpreh Basha.

“Ne kemi fajin tonë që herë pas here kemi mbyllur sytë, kemi mbyllur edhe veshët përballë gabimeve, apo edhe zullumeve të Edi Ramës. Por, më mirë vonë sesa kurrë”, tha Kryemadhi.

Me një lëvizje krejt të papritur, kur situata po tensionohej, protestuesve iu kërkua të ndiqnin Bashën drejt Ministrisë së Brendshme.

Në drejtim të godinës së Ministrisë u hodh bojë e zezë, për t’u tërhequr më pas në selinë blu. Kamerat ndiqnin zhvendosjen e protestës nga njëra godinë në tjetrën, ku në marshim e sipër u lëndua edhe operatori i Top Channel, Renis Kele, i cili u rrëzua teksa filmonte.

Protesta e opozitës u mbyll në selinë blu, nga kryetari demokrat i cili i dërgoi një mesazh kundërshtarit politik, për fatin e zgjedhjeve.

“Kush nuk e ka kuptuar, le ta kuptojë mirë dhe qartë: zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë”, tha Basha.

Basha garantoi protestuesit se nuk do të bëjë marrëveshje me Edi Ramën.

“Pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë. Me ju, në shi e në diell; në marshim, në përballje, në përplasje do të jem gjithmonë unë dhe Partia Demokratike, opozita e bashkuar”, tha Basha.

Top Channel