Edhe Holanda, shteti ku ka studiuar dhe jetuar lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, del kundër djegies së mandateve.

Qëndrimin e qeverisë holandeze e solli në Tiranë ministri i Drejtësisë, Ferdinand Grapperhaus, gjatë një konference për shtyp me homologen shqiptare Etilda Gjonaj.

“Më vjen keq që kemi pasur raste dhune në Shqipëri në disa protesta. U bëj thirrje të gjithëve që të marrin masa për protesta të paqme. Po ashtu, më vjen keq që opozita ka marrë vendimin të djegë mandatet. Dalja nga Kuvendi nuk është mënyra për të zgjidhur problemet politike dhe shkon kundër parimeve demokratike”, deklaroi ministri holandez.

Për Holandën është ende herët pasja e një vendimi për mbledhjen e qershorit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për çeljen apo jo të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE: “Ne duhet të presim për raportin e progresit të Komisionit Europian që do të dalë në maj. Të presim këtë raport dhe ne si qeveri do t’i diskutojmë bashkë me Parlamentin tonë në Holandë”.

Ministri i Drejtësisë së Holandës dha këtë vlerësim për atë çfarë ka arritur deri më tani reforma në drejtësi: “Unë e shoh që qeveria e Shqipërisë vërtetë po punon për këtë ndërmarrje madhore siç është reforma në drejtësi. Kjo tregon se qeveria e Shqipërisë është serioze në atë që ka thënë Komisioni Europian”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA