Një anije tregtare, e rrëmbyer nga refugjatët dhe emigrantët pranë brigjeve të Libisë, u shoqërua në Maltë nga Forcat e Armatosura të vendit.

Personel ushtarak i armatosur shihej në bordin e anijes me dhjetëra emigrantë, ndërsa ajo u ankorua në qytetin Senglea. Disa furgonë policie ishin ndalur në breg për të marrë në dorëzim emigrantët, në kuadër të hetimit të nisur.

Anija kishte shpëtuar rreth 108 njerëz në Mesdhe të mërkurën, e papritur ndryshoi kurs drejt Europës, pasi emigrantët e kishin kuptuar se ata po ktheheshin pas në Libi. Të gjithë ata që përpiqen të arrijnë në Europë, nga Afrika, përballen me trafikimin, rrëmbimin, torturat dhe përdhunimin në Libi, sipas Kombeve të Bashkuara.

Ushtria malteze, ndërkohë, ka ndërhyrë pas kontakteve me anijen, në të cilat kapiteni kishte pohuar se nuk ishte në kontrollin e mjetit dhe se, ai dhe ekuipazhi i tij ishin detyruar dhe kërcënuar nga një numër emigrantësh për të lundruar drejt Maltës.

“Pavarësisht se jemi një vend i vogël në përmasa, ne nuk do të evitojmë përgjegjësitë tona. Do të respektojmë rregullat ndërkombëtare”, tha kryeministri maltez, Jozef Muskat.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministri italian, Mateo Salvini kishte deklaruar se nuk do të lejonte anijen të ankorohej në portet italiane, pas lajmit për rrëmbimin. “Ata nuk janë emigrantë në rrezik, por janë piratë. Ata mund ta shohin Italinë vetëm me teleskop”, deklaroi Salvini.

Top Channel