“Top Story”, Nick Muzin ndryshoi kontratën e lobimit për PD-në: Nga 75 mijë e bëri 675 mijë dollarë

27/03/2019 21:19

Lobimi i politikanëve të huaj është një procedurë aspak e pazakontë në Washington, madje bëhet fjalë për një aktivitet të ligjshëm.

Partia Demokratike kishte kontraktuar edhe më parë një firmë lobuese, “Barnes & Thornburg”, me një marrëveshje prej 150.000 dollarësh, ndërsa Partia Socialiste kishte punësuar “Ballard Partners”, për një kontratë lobimi me vlerë 240 mijë dollarë. Nuk mbetej pas as LSI-ja, me dy kontrata lobimi me vlerë 300 mijë dollarë, me kompaninë “Global Security and Innovative Strategies”.

Por, ajo që tërhoqi vëmendjen e gazetarëve të “Mother Jones” ishin ndryshimi i të dhënave, që Muzin bëri në Departamentin amerikan të Drejtësisë gati 8 muaj më vonë, ku deklaronte se ishte paguar 675 mijë dollarë për punën e tij si lobist për Partinë Demokratike.

Ky ndryshim u bë nga Nick Muzin, vetëm dy javë pasi Paul Manafort ishte paditur nga prokurori Mueller për mosdeklarimin e punës së tij si lobist, për një parti politike në Ukrainë.

“Kur ne pamë dokumentet e ndryshuara të Muzin, ku ai zbulonte se ky entitet mbështeste një parti politike shqiptare, kur pamë këtë, besoj në dhjetor të vitit 2017, ishte pikërisht kjo që ngriti çështjen”, tha Daniel Friedman, gazetar i revistës “Mother Jones”.

Në dosjen e tij të ndryshuar, Muzin deklaronte se ishte paguar 675.000 dollarë për 3 muajt e tij të punës për Partinë Demokratike. Kjo përfshinte një pagesë me vlerë 150.000 dollarë më 24 mars; një tjetër prej 25.000 dollarësh më 27 mars; dhe e fundit ishte ajo prej 500.000 dollarësh më 9 qershor. Të gjitha pagesat ishin të vitit 2017, pak kohë përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Por, më interesante në dokumentet e ndryshuara është fakti se, dy prej pagesave nuk ishin bërë nga Partia Demokratike, por nga një tjetër burim.

Top Channel