“Top Story” ka udhëtuar për në Washington të Shteteve të Bashkuara, për të parë nga afër e për të sjellë realizimin e dokumentarit “Paratë Ruse”.

Në mediet amerikane po zien lajmi i dënimit të lobistit të famshëm, Paul Manafort, i cili nuk është i vetmi lobist i vënë nën akuzë, si lobist që u shërbente rusëve nëpërmjet kompanive “offshore”. Një tjetër lobist, Nick Muzin shkaktoi vitin e kaluar një stuhi reagimesh ndaj Partisë Demokratike në Shqipëri, për financim të jashtëligjshëm nga rusët.

“Çështja e Paul Manafort tregoi sesi ai arriti të lobojë për vite në SHBA në emër të qeverisë ukrainase, duke pastruar parà që po merrte për ato veprimtari. Është e ngjashme me atë që ndodhi me Biniata Trade me Nick Muzinin dhe Shqipërinë. Nuk pati transparencë. Nëse dikush po përpiqet të blejë ndikim në SHBA për të ndikuar politikën këtu, ata lejohen ta bëjnë për sa kohë që bëhet haptazi. Një qeveri e huaj, një institucion i huaj, mund të vijë në SHBA e të thotë që duan të përhapin qëndrimin e tyre, por duhet të bëhet haptazi”, tha David Corn, shefi i zyrës së “Mother Jones” në Washington.

David Corn është shefi i zyrës në Washington i revistës amerikane “Mother Jones”. Ai është një nga 3 gazetarët e shkrimit investigativ që publikoi skandalin, sesi një kompani guaskë e lidhur me individë rusë kishte financuar lobistin Nick Muzin për të lobuar për Partinë Demokratike.

Një kompani guaskë është një kompani inaktive që ekziston vetëm në letër dhe nuk ka zyrë apo punonjës, por mund të ketë llogari bankare apo investime pasive. Kompani të tilla shërbejnë kryesisht për evazion fiskal, pastrim parash apo qëllime të tjera të fshehta.

E tillë është dhe “Binniata Trade”, kompania në qendër të investigimit të “Mother Jones”, një revistë me një tirazh prej më shumë se 200 mijë kopje.

Kjo revistë është themeluar si një organizëm jofitimprurës 43 vite më parë dhe deklaron se donacionet e lexuesve përbëjnë rreth 2/3-at e buxhetit të saj, çka i lejon gazetarët të gërmojnë në histori të rëndësishme dhe të raportojnë të lirë.

“Mother Jones” ka fituar 7 herë çmime kombëtare, përfshirë atë të vitit 2012 për mbulimin e parave të pista që financonin kandidatët në zgjedhje.

Top Channel