Me paratë e drogës dhe dopingut kërkon rikthimin në çiklizëm

27/03/2019 22:23

Me paratë e fituara nga shitja e kanabisit dhe nga skandali i gjykatave, ku përfundoi për shkak të dopingut, një prej personazheve më kontroversë të çiklizmit kërkon të rikthehet si faktor dhe aktor në këtë sport.

Floyd Landis ishte autor i përmbysjeve më të bukura në “Turin e Francës” në kohën e tij, madje çiklisti amerikan fitoi këtë aktivitet në vitin 2006, por vetëm 3 ditë më pas u skualifikua sepse rezultoi pozitiv me testosteron.

Tani, ish-çiklisti elitar ka blerë një skuadër ku po investon të gjitha paratë e fituara nga biznesi i shitjes së kanabisit. Me një karrierë të njollosur përgjithmonë për shkak të substancave të ndaluara, ideja e tij për t’u rifutur në këtë sport ka ngjallur kundërshtime, por vet amerikani premton një garë të pastër.

“E dua çiklizmin dhe dua t’i rikthej atë që më ka dhënë. Gjithmonë e më tepër njerëz po e kuptojnë se çfarë ndodhte me këtë sport në kohën time. Por tani kam marrë përgjigje pozitive dhe shumë sportistë duan të jenë pjesë e ekipit tim”, tha Floyd Landis, ish-çiklist.

Floyd Landis arriti të zbulojë në vitin 2010 një prej mashtrimeve më të mëdha të dopingut në historinë e çiklizmit, por pavarësisht kësaj, edhe sot mendon se emocionet e fitores në “Turin e Francës” ia vlejnë çdo sakrificë dhe mënyrë aspak të pastër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA