Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka vizituar parkun fotovoltaik në Topojë të Fierit. Atje janë dhënë 5 licenca, të cilat prodhojnë 10 megavat energji.

Duke vlerësuar investimin e bërë, ministrja Balluku e cilësoi parkun fotovoltaik të Topojës në Fier si një standard dhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë të interesuarit, që duan të investojnë në këtë fushë.

“Parku fotovoltaik është një zhvillim energjetik shumë i rëndësishëm, e në një vend si Shqipëria ku ditët me diell ne i kemi bujarisht të ofruara, absolutisht është një fushë që duhet zhvilluar dhe duhet treguar gjithë serioziteti dhe vëmendja e duhur, edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, tha ministrja Belinda Balluku.

Në vitin 2017, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin për “nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”. Nga ky ligj, shumë biznese morën shkas të instalonin panele diellore, por mungesa e udhëzimit të Ministrisë së Energjetikës nuk i jep të drejtën autokonsumatorit të shkëmbejë energji me rrjetin e OSHEE-së.

Sipas Ministrisë, ky udhëzim nuk është zbardhur, pasi duhet të bëhen ndërhyrje teknike në rrjet. Një javë më parë, zonja Balluku iu përgjigj interperlancës së thirrur nga grupi i interesit. Ata kërkuan zbardhjen e udhëzimit që u jep të drejtën e hedhjes së tepricës së energjisë në rrjetin e OSHEE-së.

Në fund të diskutimit u vendos që të ngrihej një grup pune, me përfaqësues nga Ministria e Energjisë, grupi i interesit dhe OSHEE. Prodhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme do të ulte koston e energjisë.

Top Channel