Dhunohet barbarisht në sy të fëmijëve, por gjykata nuk e dënon me asnjë ditë burg bashkëshortin. I lirë dhe pa paguar asnjëherë pensionin mujor për fëmijët, sot pas dy vite e gjysmë ndarje, ai po mundohet t’i marrë fëmijët nëpërmjet dhunës psikologjike, pasi këta të fundit janë nën kujdestarinë e nënës.

Deri tani ka arritur të marrë djalin 14-vjeçar, të cilin e ka transferuar pa firmën e nënës nga shkolla në Durrës në fshatin Ngurras të Lushnjës. Me këtë transferim është shkelur ligji jo vetëm nga babai, por edhe nga drejtoritë e shkollave.

Nëna ka bërë kallëzim në policinë e Lushnjës. Kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’i rikthyer nënës djalin minoren që sipas gjykatës është nën kujdesin e saj.

“Fiks Fare” solli historinë e dhimbshme të një nëne nga fshati Ngurrës i Lushnjës. Lisabeta Xhyliu e dhunuar nga bashkëshorti prej vitesh, vendosi të largohej pasi herën e fundit kur ai kishte pirë e kishte dhunuar aq keq në sy të fëmijëve, sa kishte përfunduar në spital. Sipas saj nëse dy kushërinjtë e tij nuk do ja kishin hequr nga duart ajo sot nuk do të ishte gjallë.

Bashkëshorti dhunues nuk ka bërë asnjë ditë burg. Gjykata e Lushnjës vendosi ta dënonte vetëm me 8 muaj burg, ndërsa Apeli Vlorë e ndërroi masën e sigurisë nga me burg, në detyrim paraqitje.

Nëna tregon për “Fiks Fare” se pas ndarjes u vendos me fëmijët në Durrës. Ajo nuk u ka mohuar fëmijëve asnjëherë të takojnë babain e tyre, edhe pse ai nuk i ka dhënë kurrë pensionin që i ka vendosur gjykata. Sipas saj babai ka arritur të manipulojë djalin e madh 14 vjeç, duke e dhunuar psikologjikisht, që të largohet nga ajo e të shkojë të rrijë me të atin.

“Unë jam e pafuqishme. I kam çuar ish-bashkëshortit disa herë mesazhe për të folur për djalin, por nuk më përgjigjet. Thotë vetëm është në shkollë. Nuk kam më besim nga shteti pasi ai nuk bëri asnjë ditë burg”-shprehet Lisabeta.

Ajo tregon se kur përfundoi urdhri i parë i mbrojtjes, për gjashtë muaj, ai erdhi dhe e kërcënoi sërish bashkë me djalin. Policia kërkoi që të jepej një tjetër urdhër mbrojtje, por edhe sot  e kësaj dite Gjykata nuk e ka nxjerrë urdhrin e mbrojtjes.

Por sipas nënës më e keqja është se edhe drejtoria e shkollës ku djali vijonte mësimin, i ka dhënë babait pa miratimin e nënës fletën e shpërnguljes për ta regjistruar nga Durrësi ku banonte më nënën, në Ngurras të Lushnjës afër ish-bashkëshortit.

Drejtoria e Shkollës 9-vjeçare “Shkolla e Re”, Durrës dhe drejtori i shkollës 9-vjeçare Ngurrës, Lushnjë shkelin haptas ligjin për transferimin e djalit, duke e thelluar edhe më tej problemin social të nënës.

Gazetarët e Fiksit bashkë me nënën shkuan tek shkolla ku djali vijonte mësimin në Durrës. Fillimisht drejtoresha e shkollës tregoi që transferimi ishte bërë brenda të gjitha rregullave, por më pas përplasja në drejtori mes mësueses kujdestare, drejtoreshës dhe nëndrejtorit, nxorën në pah faktin që shkolla ishte në dijeni se prindërit ishin të ndarë dhe në të tilla raste ligji është i qartë.

Duhet patjetër që në kërkesën për transferim të jenë të dy prindërit. Nëndrejtori i shkollës qa ka miratuar edhe transferimin thotë se ai nuk kishte dijeni për divorcin, por mësuesja i kujton se kjo situatë është e sqaruar në regjistër dhe në fletoren edukative. Duke lënë të kuptojë se është shkelur haptazi ligji për transferimin.

Drejtoresha thotë se “jemi para një fakti të kryer”, por edhe shkolla që ka dhënë fletën e pranimit nuk është pa faj.

“Kjo e fundit nuk duhet ta kishte regjistruar djalin pasi dokumenti shoqërues nuk është i plotë. Nëna të shkojë ta marrë djalin dhe ne do ia regjistrojmë sërish”- shtoi drejtoresha e shkollës Pashke Marku.

Gazetarët u interesuan edhe pranë drejtorisë së shkollës Ngurras, Lushnjë që ka dhënë fletën e pranimit edhe pse ishin në dijeni të problemeve sociale që kishte familja.

Drejtori i shkollës u tha gazetarëve se e njeh si rast, por nuk pranoi të flasë për këtë çështje para kamerës. Në një bisedë me nënën ai bashkë me nëndrejtorin i thotë që “e pranuam pasi na e dha me vulë shkolla ku ishte”. Sipas tyre janë ata në shkelje pasi nëna ka shumë të drejtë, pasi me vendim gjykate është ajo që e ka kujdestarinë.

Ata theksojnë se edhe pse ka të drejtë asaj i duhet një vendim gjykate i ri që ta marr djalin. Në këto kushte nëna shkoi në polici për të denoncuar rastin. Oficeri i policisë pasi i merr kallëzimin i sugjeron që nëna të mos gabojë sërish pasi është në dëmin e saj.

Ai ndër të tjera i thotë se ka dijeni se çfarë ka hequr ajo dhe për këtë arsye po e ndihmon dhe pse ankimin duhet ta bëjë në Durrës dhe jo në Lushnjë.

Ai i tregon që ka nevojë për psikolog e gjykatës pasi as babai nuk ka të drejtë ta marrë fëmijën kur t’i dojë qejfi dhe as fëmija nuk duhet të largohet sa herë t’i dojë qejfi.

Në këto kushte është gjykata që do të vendosë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel