Policia e Shkodrës mbyll marrjen në pyetje të 3 të arrestuarve për vrasjen e Nard Polisë. Mësohet nga burime të policisë se ata i kanë mohuar akuzat.

Policia vendore në njoftimin e saj bëri të ditur se dyshohet se këta persona kanë ndjekur gjatë gjithë ditës me mjetin tip Audi viktimën Nard Polia. Më pas, e njëjta makinë, sipas policisë, është vërejtur pas kqyrjes së kamerave të sigurisë duke kaluar tek Ura e Mesit, në vendin ku autori i dyshuar dogji motorin tip T Max me të cilin dyshohet se ka kryer vrasjen. Kjo makinë e cila dyshohet se ka ndjekur viktimën dhe më pas del edhe tek vendi ku u dogj motori tek kamerat e sigurisë ka çuar policinë në ndalimin e tre shtetasve.

Mjeti tip Audi është në pronësi të shtetasit Alfred Martini i cili është një prej të ndaluarve. Ky i fundit ka pranuar se është makina e tij por ka deklaruar në polici se këtë mjet ia ka dhënë që në mëngjesin e 20 marsit shtetasit K.S i shpallur në kërkim dhe 27-vjeçari që dyshohet si autor i vrasjes ia ka kthyer mjetin në orët e pasdites, pretendon i ndaluari Alfred Martini.

Ky i fundit bashkë me dy të ndaluarit e tjerë Gilbert Toma dhe Kleandro Toma kanë deklaruar se ata nuk kanë qenë fare në makinën në fjalë me të cilën policia dyshon se është ndjekur viktima dhe më pas është transportuar autori i dyshuar pas djegies së motorit. Nga ana tjetër policia dyshon se shtetasi K.S është ekzekutori me pagesë ndërsa ende nuk është arritur që të shkohet tek motivet që çuan në vrasjen e 32 vjeçarit Nard Polia ndërsa pista e vetme deri më tani mbetet e kaluara e tij para 8-9 vitesh në Itali ku është dënuar me 4 vite për prostitucion, trafik kokaine dhe vjedhje me thyerje të dy banesave.

Policia e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje.

Top Channel