Venezuela në errësirë. Qeveria fajëson opozitën për sabotim

26/03/2019 14:29

Një tjetër ndërprerje energjie elektrike ka mbërthyer kryeqytetin e Venezuelës, Karakasin, duke e zhytur sërish në errësirë e duke prekur edhe rajone të tjera.

E gjithë kjo ndodh pas një “blackout”-i 4-orësh të hënën, për të cilin qeveria fajësoi sabotimin e opozitës.

Ndërprerja e energjisë elektrike ka shkaktuar kaos në sistemin e transportit publik të Karakasit, ndërsa metroja u mbyll dhe mijëra njerëz u kthyen në shtëpi më këmbë apo me autobusë.

Më herët këtë muaj, një ndërprerje energjie në shkallë kombëtare çoi në shpërthim grabitjesh dhe dëshpërim në shumë pjesë të vendit. Opozita fajëson për ndërprerjet e energjisë dy dekada mungesë investimesh dhe korrupsion të qeverisë socialiste.
Lideri i opozitës, Juan Guaido, është mbërthyer në një betejë për pushtet me qeverinë e Presidentit Nicolas Maduro, që përballet me një krizë të rëndë ekonomike në vend.

Javën e shkuar, shefi i stafit i Guaidos u arrestua nën akuza për terrorizëm në një tjetër përshkallëzim të krizës politike.

Top Channel