Kryeministrja britanike, Theresa May mbledh kabinetin e saj, në një takim ku mund të vendoset e ardhmja e procesit të largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, por edhe e ardhmja e saj si kryeministre.

May takohet me ministrat britanikë, të cilët është raportuar se synojnë ta largojnë atë nga posti për të diskutuar rreth votave që mund t’i japin fund bllokadës së krijuar në procesin e Brexitit.

Votat, e ashtuquajtura përfaqësuese, do të prezantohen para ligjvënësve më vonë gjatë ditës në parlament, për të ofruar përkrahje për një varg mundësish, se si mund të finalizohet procesi i Brexitit.

Mediat britanike kanë raportuar se në mesin e mundësive mund të jetë marrëveshja e kryeministres May me Brukselin, largimi i Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje, apo organizimi i një referendumi të dytë.

Bashkimi Evropian i ka thënë kryeministres May afat deri më 12 prill për të arritur përkrahje për marrëveshjen, që ka arritur me Brukselin, apo të gjejë një mundësi tjetër që mund të përfshijë sërish shtyrje të procesit të Brexitit.

Nëse May do të fitojë përkrahje nga Parlementi britanik për planin e saj, ndonëse është refuzuar dy herë deri më tani, Britania do të largohej nga blloku evropian më 22 maj.

Por ndërkohë, një peticion anti Brexit, në faqen zyrtare të internetit të qeverisë britanike, me në qendër revokimin e nenit 50 dhe qëndrimin në BE ka mbledhur më shumë se 5 milionë nënshkrime.

1 milionë firma mblodhi ky peticion vetëm në 24 orët e para të publikimit, duke bërë që përkohësisht të bllokohej madje edhe uebsajti qeveritar.

Top Channel