Kur i gjithë opinioni sportiv në vendin tonë pret të njohë trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare të futbollit, shumë emra të njohur i shtohen garës virtuale për stolin e kuqezinjve.

Pas disa kandidaturave italiane, me Edoardo Rejën si më të spikaturin, tani duket se Federata Shqiptare e Futbollit ka kontaktuar dhe me veteranin boshnjak, Safet Sušić.

63-vjeçari, i cili ka qenë pushim për disa muaj që prej largimit nga stoli i skuadrës turke Akhisar, refuzoi gjithsesi të zbulojë tratativat potenciale.

“Nuk ka asgjë konkrete. Kam një shok në Paris që është këshilltar futbolli dhe krahu i djathtë i presidentit të FSHF-së, e me të cilin takohem shpesh. Por, nuk ka asgjë për t’u thënë për momentin. Jam gati të bisedoj, pasi aktualisht jam një trajner i lirë. Por vetëm nëse ka diçka serioze”, tha Safet Sušić, trajner futbolli.

Ish-mesfushori sulmues, që kulmin e tij në karrierë si futbollist e ka pasur me Paris Saint-Germain, ka drejtuar më parë për 5 vite me radhë kombëtaren boshnjake. Sušić ka qenë në pankinë në kualifikueset e Europianit 2012, në barazimin 1-1 në stadiumin “Qemal Stafa”, si dhe kur Bosnja fitoi 2-0 ndaj Shqipërisë në qershor të vitit 2011 në shtëpi.

Top Channel