Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ndodhet në Uashington ku do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump dhe pritet që dy liderët të diskutojnë për njoftimin më të fundit të Shteteve të Bashkuara se duhet njohur sovraniteti i Izraelit në Lartësitë Golan.

Trump ka thënë përmes një postimi në Twitter më 21 mars se është koha që SHBA-ja të njohë “plotësisht” sovranitetin e Izraelit në rajonin që Izraeli e ka pushtuar nga Siria më 1967. Netanyahu më pas ka falënderuar presidentin amerikan për deklaratat e tij lidhur me këtë çështje.

“Në kohën kur Irani kërkon të përdorë Sirinë si hapësirë për të shkatërruar Izraelin, presidenti Trump njeh sovranitetin e Izraelit në Lartësitë Golan”, ka thënë Netanyahu, që ka pretenduar se Irani është duke shfrytëzuar këtë rajon për të kryer sulme në Izrael.

Turqia, Irani dhe Siria kanë dënuar deklaratat e Trumpit, ndërsa Rusia ka thënë se shpreson që komentet e presidentit amerikan do të mbeten “thjeshtë thirrje”. Izraeli më 1967 ka pushtuar territor nga Siria në hapësirë prej 1,800 kilometra katrorë në Lartësitë Golan, gjatë asaj që njihet si Lufta Gjashtëditore.

Më 1981, Izraeli zgjeroi ligjet e tij në këtë rajon, duke e aneksuar atë, hap që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Deklarata e Trump vjen më pak se një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, në të cilat Netanyahu përballet me një sfidë të ashpër nga ish-shefi ushtarak, Benny Gantz, që tani është kryetar i partisë së qendrës.

Top Channel