Marrëveshje me Airbus, Kina blen 300 avionë të rinj

26/03/2019 12:06

Airbus ka siguruar një tjetër porosi nga Kina për 300 avionë, në një marrëveshje që përllogaritet se vlen dhjetëra miliarda dollarë.

Një marrëveshje për blerjen e avionëve A320 dhe A350 XWB u nënshkrua gjatë vizitës së Presidentit kinez, Xi Jinping në Paris. Ajo është pjesë e një pakete marrëveshjesh të nënshkruara gjatë vizitës së Xi Jinping në Evropë.

Në një deklaratë të tijën, Airbus tha se ishte nënshkruar një marrëveshje me kompaninë shtetërore kineze të aviacionit për blerjen e avionëve Airbus, përfshirë 290 A320 dhe 10 A350 XWB. Marrëveshja sipas raporteve, kap një vlerë prej 30 miliardë eurosh. Marrëveshja përbën një telash jo të vogël për rivalin Boeing, që është nën presion pas dy aksidentesh fatale në të cilët u përfshinë dy avionë të tij 737 max, në pesë muajt e fundit.

Shumë vende kanë ndaluar avionët Boeing në hapësirat e tyre ajrore pasi një avion i kompanisë ethiopiant airlines u rrëzua më herët këtë muaj. Boeing më pas uli në tokë flotën e tij të avionëve 737 max ndërsa vazhdon hetimi mbi shkaqet e katastrofës ajrore.

Presidenti kinez e nisi turin e tij europian javën e shkuar në Itali, vendin që u bë i pari nga G7 që nënshkruan iniciativën globale kineze “Një brez, një rrugë”, ndërkohë që vende të tjera evropiane dhe SHBA kanë shprehur shqetësim për ndikimin në rritje të Kinës.

Edhe në Paris, ku Xi Jinping u prit me tapet të kuq dhe darkë shtetërore, buqeta e marrëveshjeve të nënshkruara ishte jo pak bujare. Ndërkohë që kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, do t’i bashkohen presidentit francez Emmanuel Macron dhe atij kinez për bisedime të tjera në Paris.

Top Channel