Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha deklaroi në emisionin Open se “djemtë e ish-prefektit Paulin Radovani, që janë jashtë shtetit, gjykata sot ka dhënë arrest me burg në mungesë”. Ndërsa për ish-prefektin Radovani është vendosur masa e ndalimit për t’u larguar jashtë shtetit.

Familjarët e të dyshuarve për fajde që u arrestuan në Shkodër akuzojnë ish-prefektin Paulin Radovani se ka përvetësuar parà dhe ka krijuar një skemë të ngjashme me firmat piramidale. Emri i ish-prefektit Radovani doli gjatë seancës për masën e sigurisë, të shtunën, si personi nga ku ka nisur zbulimi i këtij fenomeni, pasi djemtë e tij u kishin borxhe disa personave, e si rrjedhojë i ati humbi një pjesë të biznesit.

Disa të afërm të të arrestuarve e kanë kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se paratë u janë dhënë djemve të tij sepse i kishin miq. Prej dy muajsh, ish-prefekti është nën urdhër mbrojtjeje dhe policia siguron jetën e tij. Ndërkohë që mësohet se djemtë e tij nuk gjenden në Shqipëri. Mjeti me të cilin ata lëviznin është parë në Mal të Zi. Burimet thonë se zinxhiri i parave me fajde bëhej për shkak të vesit të bixhozit që kishin dy të rinjtë. Borxhet ishin marrë për të mbyllur të tjera borxhe, e të përfshirë janë shumë persona, të cilët kanë dalë garant për dhënien e parave me përqindje të larta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA