Dy ditë më parë, i kontaktuar nga Top Channel, autori i librit “Qentë e Luftës”, Guy Lawson, mohonte që në adresë të tij Shkëlzen Berisha të kishte dërguar një email.
“Shkëlzen Berisha nuk më ka dërguar asnjë email”, këtë thekson Lawson në përgjigjen e tij për Top Channel, duke shtuar edhe se djali i ish-kryeministrit Berisha nuk e ka provuar këtë gjë as në gjykatë për ta sjellë atë e-mail si provë në atë proces gjyqësor.
Por së fundmi, Shkëlzen Berisha ka bërë publik emailin që ka dërguar në adresë të autorit të librit, duke i qëndruar pretendimit të tij se menjëherë pas publikimit të shkrimit të parë në revistën “Rolling Stones” ai i kishte dërguar një email Guy Lawson nga ku i kërkonte të fliste me të në lidhje me atë shkrim.
Në emailin që Shkëlzen Berisha i ka dërguar Top Channel, është edhe një foto e mailit të shumë diskutuar, e kjo rezulton se është dërguar më datë 18 mars 2011, ora 18:00, ku teksa prezantohet kush është, djali i ish-kryeministrit Berisha i kërkon Lawson një mundësi kontakti për të dhënë edhe ai versionin e tij të fakteve.
*Për foton e plotë të emailit kliko këtu*
Po përmes adresës së emalit të Top Channel, Shkëlzen Berisha, i përgjigjet qëndrimeve që Lawson dha për gazetarin Muhamed Veliu në intervistën e 22 marsit.
“Është e vërtetë që unë nuk e kam sjellë këtë email para gjykatës dhe deri tani përveç fjalës time nuk ka pasur asnjë evidencë se ky email ju është nisur juve. Ju e keni shfrytëzuar pamundësinë time per ta gjetur këtë email, për të gënjyer para gjykatës dhe para publikut, pavarësisht se emailin e keni marrë, duke thënë se unë nuk ju kam kontaktuar”, shprehet Shkëlzen Berisha, duke shtuar se vetëm së fundmi ka gjetur në arkiv këtë email.
Shkëlzen Berisha vijon t’i qëndrojë pretendimit të tij, se burimi i vetëm i Lawson në Shqipëri ka qenë, Erion Veliaj. “Nëse flasim për individë, që kanë shpifur në lidhje me mua ashtu siç del fare qartë nga dokumentet që ju keni sjellë para gjykatës, në Shqipëri burimi juaj i vetëm ka qenë Erion Veliaj”, thuhet në reagimin e tij duke shtuar më tej se burimet e tjera bien poshtë: “Z.Belliu që ju e keni identifikuar si burim, deklaroi për gjykatën se ai nuk më njihte fare. Z. Kokalari e etiketuat më shumë “respekt” si një “maniak të tërbuar me axhendë private” të cilit ju nuk mund t’i besonit. Artikulli i NYT për aq sa më takon mua, bazohet vetëm mbi bisedën Trebicka – Diveroli”.
Ndërkohë që Lawson për Top Channel u shpreh se: “Erion Veliaj ishte një nga burimet e mia, por siç argumentoi Gjykatësja Cooke në vendimin e saj, unë isha bazuar në shumë burime të tjera për të treguar përfshirjen e paditësit, si artikulli i “New York Times”, “Broward Beach New Times”, the “New Republic”, dokumentari i Al Jazeera-s “Plumba dhe Dollarë”, e-mail-e diplomatike që dolën në publik, në të cilat ambasadori amerikan e lidhte zotin Berisha me korrupsionin e tregtisë së armëve, si dhe intervista me shumë njerëz të tjerë, të cilët besojnë me bindje se zoti Berisha ka qenë i përfshirë në tregti korruptive me armë. Me pak fjalë, është një numër i stërmadh burimesh që e lidhin zotin Berisha”.
Top Channel