Zëvendës-kryeministri Erjon Braçe ishte i treti që mori fjalën në Kongresin e Partisë Socialiste, ku ndër të tjera theksoi se mbi 22 mijë qytetarë kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre, në platformën e bashkëqeverisjes.

“Mbi 22 mijë qytetarë kanë marrë zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes. Qytetarët janë fuqia jonë e reagimit. Shqiptarët e zakonshëm shtetin e paguajnë për këto shërbime. Shqiptarët ndjejnë shtetin tek shërbimet që marrin, ndaj duhet të shërbejmë më shumë dhe të modernizohemi. Kush nuk u përgjigjet njerëzve, ka ikur e do të ikë”, tha Braçe.

Ai theksoi se nga kontrolli që ka bërë në zyrat e shtetit, ka parë raste pafund të atyre që rrinë kot apo sorollatin deri në tallje qytetarët.

“Kush hap zyrën që sheh muret e tavanin e nuk punon, siç e pashë në zyrat e Vlorës, Fierit, etj., iku e do të ikë. Fuqia e ndryshimit janë njerëzit e zakonshëm dhe interesat e tyre, ndaj secilit prej tyre i them, mos u dorëzoni, na shkruani, flisni me ne, sepse do të reagojmë dhe do t’u shërbejmë secilit. Duhet të jemi bashkë për këtë, ju dhe ne”, shtoi Braçe.

Top Channel