Në përfundim të Kongresit të Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Taulant Balla bëri të ditur për mediet edhe një deklaratë të miratuar nga të gjithë pjesëmarrësit.
“Ne erdhëm me bindjen se jemi e vetmja forcë politike që mund të ofrojmë ekonomi, shërbime për të gjithë, drejtësi sociale dhe punësim. Të ndërgjegjshëm se opozita ka krijuar një ngërç artificial, na lind detyra të përfaqësojmë masën e të gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë, një Shqipëri europiane”, u shpreh Taulant Balla.
Ai përmendi arritjet në këtë gjysmë të parë qeverisjeje nga PS-ja e vetme në pushtet.
“Ka ardhur koha të bëjmë një bilanc për të gjitha angazhimet e ndërmarra deri më sot. Kemi siguruar rritjen më të madhe ekonomike, punësimin më të madh, rritjen e investimeve të huaja direkte në nivele rekord për 3 vite radhazi, rritje të konsumit dhe rritje dyshifrore të konsumit dhe turizmit e vizitorëve. Falë taksës progresive, shqiptarët kanë përfituar ulje të drejtpërdrejtë të barrës fiskale, sikurse edhe bizneset. Të ardhurat janë rritur ndjeshëm dhe përfitimet më të mëdha i kanë ndierë familjet me të ardhura më të ulëta”, tha Balla.
Ndërkohë, shpalosi edhe sfidat me të cilat përballet në gjysmën e dytë të mandatit qeverisës.
“Partia Socialiste është njësoj e vetëdijshme për sfidat në vijim, përfshi transformimin radikal të sistemit të drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi, e më tej rritja ekonomike, ajo e punësimit, mbështetja e fermerëve etj. Sigurisht që bashkëqeverisja me njerëzit ka qenë kryefjala për një qeverisje më të mirë për Shqipërinë tonë, Shqipërinë që duam”, theksoi Balla.
Djegien e mandateve opozitare, ai e quajti edhe njëherë një akt të pashembullt, teksa tha se PS do të çojë përpara Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore.
“Ne refuzojmë retorikën destruktuive, e jemi të hapur për bisedime që do të na çojnë drejt rrugëtimit tonë me destinacion Europën. Sfida të reja na presin me qytetarët dhe për qytetarët, duke nisur nga zgjedhjet lokale të qershorit. Partia Socialiste është e vendosur ta çojë përpara Reformën Zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Produkti paraprak i shkruar nga ekspertët më të mirë vendas nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve do t’i nënshtrohet një procesi debati publik. PS nuk mund t’i nënshtrohet për asnjë çast shantazheve politike nga grupe të caktuara. Djegia e mandateve nga deputetët opozitarë është një akt i pashembullt jo vetëm ndaj qytetarëve, por ndaj demokracisë dhe rendit institucional. Kjo është një goditje ndaj interesave afatgjata të Shqipërisë, duke minuar shanset për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Megjithatë PS mbetet e përkushtuar dhe, si forcë e legjitimuar nga qytetarët, të avancojë agjendën europiane të Shqipërisë, pa u deformuar nga pakica e mbetur jashtë Parlamentit”, përfundoi Balla.
Top Channel