Skandali i dy vëllezërve indianë Sandesara, që akuzohen për pastrimin e rreth një miliard dollarëve, edhe në Shqipëri merr një pikë të fortë kthese.

Mediet indiane shkruajnë se policia shqiptare ka arrestuar të enjten, për llogari të Interpolit, shtetasin Hiteshkumar Patel, që është edhe kunati i Cetan Sandesaras. Burime nga Policia e Shtetit konfirmojnë arrestimin, ndërsa një shtetas indian i dytë ka mundur të largohet nga Shqipëria.

59-vjeçari i lindur në Indi dhe banues në Nigeri ishte duke u larguar nga Aeroporti i Rinasit dhe është kapur në dalje të territorit shqiptar, siç njoftoi POlicia e Shtetit pak minuta më parë.

Sipas “Times of India”, agjencitë ligjzbatuese të Indisë kanë nisur menjëherë kontaktet me Interpolin dhe autoritetet shqiptare, për të nisur sa më parë procedurat e ekstradimit të Patel në Indi.

Hiteshkumar Patel është vëllai i bashkëshortes së Cetan Sandesaras. Patel ka qenë një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë “Sterling Biotech” dhe, sipas medieve indiane, arkitekti që krijoi skemën gjigante të mashtrimit financiar.

Përmes kompanisë “Sterling”, Nitin dhe Chetan Sandesara kanë marrë 725 milionë deri në 1 miliard dollarë amerikanë kredi nga bankat shtetërore të Indisë, para të cilat i zhdukën përmes një rrjeti prej 300 kompanish “offshore”.

Autoritetet indiane dyshonin se vëllezerit Sandesara ishin arratisur në Nigeri, por prej shkurtit të vitit të kaluar, ata janë bërë shtetas shqiptarë dhe janë duke investuar në ndërtimin e pallateve në Tiranë dhe resorteve turistike në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Mbetet e paqartë nëse vëllezerit Sandesara ndodhen aktualisht në Shqipëri, apo janë larguar pas publikimit të skandalit. Por, arrestimi i Hiteshkumar Patel përbën një zhvillim të rëndësishëm në atë që mund të jetë një nga skemat më të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri.

FOTO GALERI
4/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA