Leyla Moses-Ones ka lavdëruar ecurinë e Shqipërisë në këto 10 vite anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s, e cila gjithashtu feston 70-vjetorin e krijimit të saj, pavarësisht se – siç u shpreh, – ka ende punë për të bërë.

Ajo veçoi Reformën në Drejtësi, që sipas saj po shkon në shinat e duhura.

“Shqipëria është në drejtimin e duhur, pavarësisht se ka ende punë për të bërë. Reforma në Drejtësi është ende në shinat e duhura dhe shumë shpejt do t’iu sjellë shqiptarëve sistemin e ndershëm dhe transparent të drejtësisë që meritojnë. Mesazhi im, për cilindo që thotë se Reforma në Drejtësi është kompromentuar apo po dështon, është: E keni gabim!”, deklaroi Moses-Ones, e ngarkuara e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në mungesë të një ambasadori që pas ikjes së Donald Lu.

Por, Moses-Ones përmendi edhe kontributin e çmuar të Shqipërisë në misionet e NATO-s.

“Për dhjetë vite, Shqipëria e ka bërë aleancën tonë më të fortë nëpërmjet angazhimit të saj me trupa dhe burime në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe Irak, ndërmjet misioneve të tjera. Ajo i kushton 3.9 për qind të forcave të saj ushtarake aktiviteteve të NATO-s, duke u kthyer kështu në kontribuesen e dytë më të madhe të numrit të trupave për frymë në aleancë. Shqipëria do të vijojë ta bëjë aleancën më të fortë nëpërmjet investimit prej 58 milionë dollarësh për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, e cila do të përforcojë operacionet e furnizimit nga ajri, mbështetjen logjistike, patrullimin ajror, trajnimet dhe stërvitjet. Roli shumë i madh i Shqipërisë në aleancë është shembull për të gjitha vendet aleate”.

E pas vlerësimeve, vijnë edhe thirrjet inkurajuese për ta vazhduar më tej përparimin, duke theksuar zbatimin e ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit e luftën ndaj krimit të organizuar, sikurse edhe krijimi i një ekonomie më të fortë.

“Roli i Shqipërisë në NATO rritet së bashku me përgjegjësinë e saj për të bërë përparim të vazhdueshëm në reformat demokratike. Këto reforma janë themelore për vlerat që mbron aleanca dhe janë thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përparimi duhet të vazhdojë për të përmirësuar zbatimin e ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit e krimit të organizuar dhe krijimit të një ekonomie të fortë, që është e lirë dhe e barabartë për cilindo”, tha Leyla Moses-Ones.

Top Channel