“Brexit” do të kushtojë shumë dhe kostoja e tij do të ndihet në mbarë Europën. Por më të goditur, siaps një studimi të ri, do të jenë vetë britanikët si dhe gjermanët, me humbje vjetore që llogariten deri në 67 miliardë euro.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara dhe në Kinë mund të ketë praktikisht një rritje të të ardhurave nga shkëputja e Mbretërisë së Bashkuar prej bllokut europian.

Pavarësisht formës së tij, i vështirë apo i butë, “Brexit” do të ketë një impakt gjigant në terma financiarë dhe situata do të jetë veçanërisht e vështirë për Britaninë nëse largohet pa marrëveshje.

Shkak kryesor i humbjeve, me shumë gjasë do të bëhet rritja e çmimit të mallrave dhe shërbimeve, si pasojë e tarifave që do të vendosen pas “Brexit”-it. Aktualisht në tregun e përbashkët të BE-së nuk ka tarifa.

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati i 29 marsit, ende nuk është e qartë nëse Britania do ta lërë bllokun 28-anëtarësh me apo pa ujdi.

Kryeministrja Theresa May është munduar shumë t’i bindë ligjvënësit të pranojnë marrëveshjen e saj me BE-në, e kërkoi madje edhe një shtyrje të afatit të shkëputjes deri në qershor. Brukseli ndërkohë, përmes presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, tregoi se do të pajtohet me shtyrjen e datës vetëm nëse Parlamenti britanik do ta miratojë marrëveshjen aktuale të “Brexit”-it javën e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA