Propozimi belgo-gjerman: Vendet e BE-së të shqyrtojnë rendin demokratik të njëra-tjetrës

20/03/2019 06:11

Shtetet anëtare të BE-së duhet të autorizohen të shqyrtojnë rendin demokratik të njëri-tjetrit, thanë të martën Gjermania dhe Belgjika, në një përpjekje për të forcuar mbrojtjen e bllokut kundër qeverive nacionaliste dhe populiste, që hedhin poshtë parimet e saj kryesore.

Propozimi, i bërë në një takim të ministrave të BE-së, përkon me hetimet e profilit të lartë të BE kundër Polonisë dhe Hungarisë, për minimin e pavarësisë së gjykatave dhe mediave të tyre, ndërsa Rumania akuzohet për kthimin pas të reformave të implementuara.

Gjermania dhe Belgjika thonë se propozimi i tyre do të krijonte hapësirë për shtetet anëtare që të artikulojnë shqetësimet mbi sundimin e ligjit dhe të reagojnë që në fillim, se sa të presin, siç është aktualisht, që problemet të përshkallëzohen sa duhet në një vend të caktuar për të nxitur mekanizmin ekzistues të BE-së.

BE i është referuar Nenit 7 për të hetuar shqetësimet që qeveria nacionaliste e Polonisë ka dëmtuar sundimin e ligjit. Procesi mund teorikisht të çojë në humbjen e të drejtës së votës së Polonisë në BE, por tani ka mbetur kryesisht në heshtje prej muajsh.

Shtetet e BE nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord që nga vjeshta e kaluar, se si të vazhdojnë me një hetim të ngjashëm në Hungari. Duke pranuar pengesat që propozimi i tyre ka të ngjarë të përballet, Gjermania dhe Belgjika sugjeruan se procedura e re e shqyrtimit do të ishte vullnetare dhe nuk do të mbante asnjë sanksion.

“BE është një bashkim vlerash. Nuk është vetëm për tregun e vetëm”, tha ministri i Gjermanisë i BE, Michael Roth, në paraqitjen e planit për një rishikim vjetor të kolegëve. “Gjithkush duhet t’i përmbahet këtyre vlerave, pasi ato nuk janë thjesht të këndshme”.

Ministri i Jashtëm belg Didier Reynders tha se shpresonte që mekanizmi i ri të fitohej deri në fund të vitit. Nisma është mbështetur me shpejtësi nga Holanda.

Shëndeti dhe qëndrueshmëria e demokracive të BE-së janë në qendër të vëmendjes përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj, në të cilin partitë pro-BE përballen kundër euroskeptikëve që promovojnë politikat nacionaliste dhe populiste që ndonjëherë shkojnë kundër vlerave liberale demokratike të bllokut.

Grupi kryesor i qendrës së djathtë të BE, Partia Popullore Evropiane, do të vendosë të mërkurën nëse do të dëbojë partinë Fidesz, të kryeministrit hungarez Viktor Orban, për fushatat e tij anti-BE dhe kundër emigracionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA