E mbetur ende pa autor, vrasja e 26-vjeçarit Jurgen Kurti në Tiranë ka rënduar pozitat e djalit të tregtarit Agim Arapi, të vrarë dy vite më parë në Durrës.

Ndonëse jeton e punon në Itali dhe lëvizjet e tij në pikat kufitare janë verifikuar përmes sistemit “TIMS”, dyshimet e para kanë rënë mbi djalin e tregtarit, i cili mbeti i vdekur pas një konflikti banal me Jurgen Kurtin dhe vëllezërit Ekonomi.

“Nuk jam unë, e as djali im vrasësi. Nuk kishim pse ta vrisnim Jurgen Kurtin”, shprehet ajo.

E tronditur nga informacionet e marra përmes disa medieve për “shpalljen në kërkim” të të birit, Vjollca Arapi deklaron se, me vdekjen e Kurtit po përjeton një vrasje të dytë nga shteti dhe drejtësia.

Zonja Arapi u bën thirrje institucioneve dhe nënës së Jurgen Kurtit që të gjejnë vrasësin e vërtetë dhe ta lenë të qetë familjen e saj, tashmë të shkatërruar nga vrasja e të shoqit.

Vjollca Arapi pranon se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet policore, apo organi i akuzës për shpalljen në kërkim të të birit, ndërsa Top Channel u interesua edhe pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit, ku mësoi se aktualisht nuk është vënë në dijeni nga Prokuroria e Tiranës për shpalljen në kërkim të Dervis Arapit.

I ati, Agim Arapi humbi jetën në prill të vitit 2017, pas dhunës së ushtruar mbi të. Shkak i dhunës u bë mospagesa e një tarife mujore me vlerë 13 mijë lekë nga ana e picerisë që administrohej nga Jurgen Kurti. Duke pranuar klasifikimin si “vrasje nga pakujdesia”, Gjykata e Durrësit dënoi vetëm njërin nga vëllezërit Ekonomi, i cili mori përsipër fajin, ndërsa në qershor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e uli dënimin e tij në 3 vite e 4 muaj heqje lirie.

FOTO GALERI
14/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA