Fermerët ashtu siç edhe kishin paralajmëruar nisën sot bojkotin dyditor të mosfurnizimit të tregut me prodhime bulmeti, për të kundërshtuar uljen e rimbustimit të TVSh-së nga 20% në 6%. Ata i kërkojnë qeverisë të mos e ulë rimbursimin e TVSH-së për produktet primare bujqësore. Në shenjë proteste fermerët ditë më parë kanë derdhur qumështin dhe hodhën perime të freskëta në rrugë.

Fiks Fare ndoqi nga afër ankesën e fermerëve të cilët treguan se si ndikon tek ta ulja e rimbursimit të TVSh-së në 6 %.

Emira Toska, fermere në Ferras të Lushnjes tregon se ka 30 krerë lopë dhe se baxhot që ua marrin qumështin përditë u kanë thënë se atë tashmë do e marrin më lirë, 30 lekë ndërkohë që çmimi ka qenë 40 lekë për një litër qumësht. “ Ne nuk po ja dalim dot me kaq sa është çmimi e jo më lirë” shprehet ajo. E vetmja gjë që mund të bëjmë shprehet Ermira janë falimentimi i sigurtë , “dy mënyra kemi ose t’i shesim lopët ose t’i therim”.

Edhe fermerët e tjerë kanë po të njëjtin shqetësim, për ta nuk ia vlen të mbajnë më blegtori pasi shpenzimet janë shumë herë më të mëdha se sa fitimet. Madje janë të zhgënjyer pasi as subvencionimet e premtuara nuk i kanë marrë.

Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan edhe dy prej përfaqësuesve të fabrikave të përpunimit të qumështit Erzenit dhe Lufra të cilët 70 % të lëndës së parë furnizohen pikërisht nga fermerët.

Ata u dhanë të drejtë fermerëve se ulja e rimbursimit mund t’i çoj drejt falimentimit fermerët si dhe vetë kompanitë. Ata shpjegojnë për Fiks Fare se kanë pothuajse tre muaj që kanë kërkuar rishikimin e këtij ligji , por që nga Ministria e Financave nuk ka pasur asnjë reagim. Ata shtojnë se tashmë në treg do ulet prodhimi dhe kjo gjë do i çojë këto kompani të shohin variante të tjera , t’i hedhin sytë nga importi, pasi edhe qumështi jashtë shtetit gjendet më lirë.

Gazetarët e Fiksit intervistuan edhe z. Alban Zusi nga Shoqata e Industrialistëve Ushqimor. Ai shprehet se qeveria këtë taksë donte tua vilte fabrikave të përpunimit të qumështit, por që fabrikat nuk kanë nga ta marrin apo nxjerrin që të paguajnë këtë lloj takse.

“Çështja është nëse fermeri do të punoj më apo jo, sepse ai merr 48 lekë për litrin e qumështit dhe ishte në kapërcyell po kur t’ia bëjmë 42 do e mbajë më lopën ai?! Bujqësia është totalisht në kolaps. Nuk është se prek vetëm qumështin, prek dhe vreshtarinë, prek ullirin, prek mjaltin, prek gjithçka.” shprehte z. Zusi . Ai sugjeron që TVSH-ja e produkteve ushqimore të bëhet 6% siç është në të gjithë Evropën. Pra, çdo produkt ushqimor të shitet me TVSH finale 6 %. Kështu ulet informaliteti, rritet prodhimi dhe formalizohet e gjithë ekonomia përfundon z. Zusi.

Por gazetarët e Fiksit pyetën edhe një Ekspert Kontabël, z. Eduart Sharko për të kuptua efektet që ka ky ligj. Ai shpjegon se arsyeja se pse fermerët derdhin qymështin është se blerësit e tyre ulën vlerën e çmimit të blerjes dhe nuk do ua marrin më me këtë çmim, pasi nuk u intereson për shkak të taksave që paguajnë. Sipas ekspertit 20% e kompensimit që jepte shteti, nuk shkonte tek fermeri, sepse kalonte nëpërmjet një hallke të tretë që ishin tregtarët “dhe kjo nuk funksionoi sepse në asnjë vend të botës nuk mund të urdhërosh tregtarin t’i jap nga fondet e tij kredi fermerit për llogari të shtetit dhe pastaj mbas tre muajsh t’ia marri konsumatorit ose t’ia marrë shtetit” tha z Sharko.

Qëllimi i kësaj skeme ka qenë që të kompensoj fermerët për çmimet e larta të imputeve bujqësore që ata blejnë. TVSH do të thotë nëse një tregtar blen dhe shet dhe gjatë këtij transaksioni ai fiton psh 100 lekë, atëherë ai do të paguaj 20% të shumës TVSH-së.

Sipas tij tregtarët kanë vetëm dy rrugë : e para të rrisin çmimin e shitjes te konsumatorët që të mund të marrin tatimin ekstra që shteti u kërkon dhe e dyta të falimentojnë nga konkurrenca e produkteve rajonale që futen në treg.

Top Channel