Sulmi i përgjakshëm terrorist ndaj dy xhamive në Zelandën e Re mund të shkaktojë një spirale të re dhune.
Episodi i së premtes ka rinxjerrë në skenë Shtetin Islamik. Militantët e grupit xhihadist janë zgjuar e bëjnë thirrje për hakmarrje.
Duke përdorur kanalet e zakonshme të medieve sociale të ISIS-it, një zëdhënës i tij tha se “udhëheqësit e të pafeve” kanë derdhur lot krokodili për viktimat e Christchurchit.
“Skenat e vrasjes në dy xhamitë duhet t’i nxisin përkrahësit e ISIS-it të hakmerren për fenë dhe vëllezërit e tyre të besimit”, deklaroi Abu Hassan al-Muhajir, në regjistrimin 44-minutësh.
Ai shkoi deri aty sa sulmin e ekstremistit të bardhë, ku mbetën të vrarë 50 vetë, ta përshkruante si zgjatim të fushatës kundër ISIS-it.
Autenticiteti i mesazhit nuk është vërtetuar ende plotësisht, por mbetet fakt që ai u shpërnda në kanale të njohura të organizatës terroriste.
Zëdhënësi, që kërkoi shpagim për gjakun e vëllezërve dhe motrave të vrara në Zelandën e Re, i kërcënoi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët me një rezistencë të re në Siri, ku prej javësh, trupat kurde të mbështetura nga koalicioni anti-ISIS po luftojnë për kontrollin e Baghusit, bastioni i fundit i militantëve të Shtetit Islamik.
Top Channel