Tre persona kanë mbetur të vrarë pas të shtënave në një tramvaj në qytetin holandez të Utrehtit dhe bilanci është konfirmuar nga kryebashkiaku i qytetit.

“Në këtë moment ne mund të konfirmojmë tre viktima dhe nëntë të plagosur, tre prej tyre në gjendje kritike”, tha ai.

Policia po kërkon për një 37-vjeçar turk, Gokmen Tanis, i lindur në Turqi dhe ka paralajmëruar njerëzit të mos i afrohen.

Shkollat u mbyllën dhe siguria është rritur ndërsa policia e anti terrorizmit po punon për të gjetur agresorin. Nuk e përjashtojmë motivin terrorist – tha koordinatori i anti terrorizmit në Holandë, Pieter Jaap Aalbersberg.

Sipas tij, ka ende shumë pikëpyetje mbi ngjarjen por po punohet për ta zbardhur atë. Kryeministri holandez, Mark Rute, tha se ky akt terrori ishte një sulm mbi civilizimin dhe shoqërinë e hapur dhe tolerante holandeze.

Niveli i alarmit në Utreht është rritur në atë maksimal për 18 orët në vijim. Agjencia e lajmeve AFP ka publikuar imazhet e një aksioni të policisë në zonën ku dyshohet se mund të jetë fshehur autori i sulmit. Holanda në fakt është kursyer nga lloji i sulmeve që janë regjistruar në fqinjët e saj evropianë, vitet e shkuara, por ka pasur një seri alarmesh sidoqoftë.

Në qytetin e Utrehtit, që është i katërti më i madhi në Holandë, me një popullatë prej rreth 340 mijë banorësh, niveli i krimit dhe vrasjet me armë zjarri janë shumë të rralla.

Top Channel