Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, e mbledhur këtë të hënë, ka vendosur që seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë të mbahet ditën e enjte, duke nisur nga ora 10.
Jeta parlamentare duket të vazhdojë normalisht, pavarësisht aktit ekstrem të krerëve politik të opozitës, Lulzim Basha i PD-së dhe Monika Kryemadhi e LSI-së, për djegien e mandateve të deputetëve të tyre.
Një pjesë e vogël e ish-deputetëve janë zëvendësuar tashmë me të rinj nga listat shumemërore partiake të zgjedhjeve të 2017-s, të cilat u njohën ndërkombëtarisht.
E pavarësisht kësaj, me të marrë lajmin për seancën plenare, kreu i PD-së Lulzim Basha ka njoftuar mbledhjen e krerëve të degëve të rretheve në seli për të diskutuar mbi protestën e radhës. Ende nuk dihet se kur do të mbahet ajo, por ajo që dihet është se vjen pas një tjetër proteste të zhvilluar më 16 mars, një muaj pas asaj të 16 shkurtit, përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit kësaj radhe.
E ndërsa marshimi para Kryeministrisë kaloi në qetësi, akte dhune shpërthyen në momentin kur turma u zhvendos për te Parlamenti, ngjarje për të cilën u shoqëruan edhe disa protestues.
Përkundër protestave opozitare, kryeministri Rama mësohet të ketë thënë gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS-së se jeta vazhdon, “jemi në normalitet parlamentar” dhe se “në seancat plenare duhet të flasin të gjithë”, duke iu referuar kështu deputetëve socialistë.
Top Channel