Partizani merr arratinë në Kategorinë Superiore pas javës së 25-të, javë në të cilën përveçse bëri detyrën e tij me sukses përballë një kundërshtari të fortë si Teuta, duke fituar pastër 3-0 në “Selman Stërmasi”, përfitoi edhe nga “dhurata” e një dite më parë nga Skënderbeu, që mposhti Kukësin në Korçë.

Bruno Telushi kaloi shumë shpejt në avantazh “të kuqtë”, që në minutën e 5-të të takimit, ndërsa dyfishoi rezultatin pas gati gjysmë ore lojë Hila nga pika e 11-metërshit. Me shifrat 2-0 skuadrat u futën në dhomat e zhveshjes, ndërsa në pjesën e dytë u mbyll gjithçka në minutën e 90 me golin e Cinarit.

Kastrioti mori 3 pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë në Kategorinë Superiore. Skuadra krutane arriti të mposhtë Tiranën me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe e sheh veten vetëm 4 pikë larg Luftëtarit, me skuadrën gjirokastrite që mori 3 pikët në tavolinë nga ndeshja me Kamzën e përjashtuar.

Për Kastriotin, vendimtar në arritjen e kësaj fitoreje rezultoi goli i shënuar me një 11-metërsh shumë të diskutueshëm, nga Marku. Për t’u theksuar është se në minutat e para të kësaj ndeshjeje, trajneri Mema largoi Ngo, pasi anglezi u nervozua. Tensioni u pa edhe në përfundim të ndeshjes, kur situata shkoi deri aty sa u godit edhe lojtari i Tiranës, Grent Halili.

Ndeshja tjetër e kësaj jave të Superiores, mes Laçit dhe Flamurtarit nuk pati fitues, pasi ajo u mbyll me rezultatin 0-0. Te skuadra kurbinase bëri debutimin e tij në pankinë Sulejman Starova, por Laçi, ashtu sikurse Flamurtari, nuk bënë mjaftueshëm për të marrë 3 pikët e kësaj sfide.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA