Genoa bën atë që nuk e ka arritur asnjë skuadër tjetër në kampionatin italian të futbollit, Serie A, teksa ka mposhtur këtë të dielë Juventusin.

Në “Marassi”, sfida mes skuadrës gjenoveze dhe kampionëve të Italisë përfundoi me rezultatin 2-0 për vendasit.

Genoa i shënoi të dyja golat e sfidës në pjesën e dytë, me autorë Sturaro dhe Pandev, i pari një ish-lojtar i Juventusit, me “Zonjën e vjetër” që në këtë ndeshje kishte lënë në pankinë Cristiano Ronaldon, pas triumfit të rëndësishëm ndaj Atleticos në mesjavë, duke siguruar kalimin në çerekfinalet e Champions League.

Edhe pse vëmendja maksimale e kësaj fundjave është fokusuar në Milano, aty ku pritet të luhet “derbi i Madonninës” mes Milanit dhe Interit në mbrëmje, humbja e Juventusit është gjithashtu një lajm i rëndësishëm, pasi është e para për këtë sezon të Serie A dhe vjen vetëm në muajin mars.

Ndërkohë, Lazio rihyn në garë për një vend në zonën Champions, pas fitores 4-1 të arritur ndaj Parmës në “Olimpico”. Marusiç hapi serinë e golave për lacialët, e më pas Luis Alberto shënoi dy herë të tjera, ndërsa Luliç i çoi shifrat në 4-0. Për Parmën, golin e nderit e shënoi Sprocati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA