33 persona të moshës nga 19 deri në 41 vjeç, janë proceduar deri më tani për aktet e dhunës në protestën e 16 marsit para parlamentit cilësuar nga policia si një tubim i jashtëligjshëm.

Sipas një njoftimi nga policia e Tiranës mes të proceduarve penalisht është gjithashtu shtetasi G.B., organizator i kësaj proteste.

Një burim policor i tha Top-Channel se ky shtetas është Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Gjithashtu policia e Tiranës thotë se janë proceduar në gjendje të lirë dhe 11 persona te tjerë, ndërsa 7 shtetas janë shpallur në kërkim.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 130 kapsolla të ndaluara si të rrezikshme për jetën.

Procedimet e deritanishme janë ndërmarrë pas një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

Të proceduarit do të përballen me akuzat për konsumimin e elementëve të veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë”, “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe “Mbatja dhe përdorimi i lëndëve plasëse”.

“Hetimet vijojnë për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme” thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Top Channel